Cristiano Ronaldo mohon të ketë firmosur me Al Nassr

Sport

Pas 31 ndeshjesh radhazi mes ‘Kampionatit europian’ dhe ‘Kupës së botës’, Cristiano Ronaldo nuk e nisi si titullar një ndeshje të Portugalisë, në fitoren e luzitanëve 6-1 ndaj Zvicrës. Kjo ishte hera e parë që nga viti 2008 që ylli portugez e niste nga stoli në kompeticionet madhore me përfaqësuesen e tij, por kjo nuk duket se ka shkaktuar probleme mes lojtarit dhe trajnerit. Ronaldo së fundmi është vënë në qendër të vëmendjes edhe për çështjen e të ardhmes së tij, teksa pasi ndërpreu bashkëpunimin me Manchester United, u përfol për një marrëveshje me skuadrën e Al Nassr. Në radhët e arabëve, 37-vjeçari thuhet se do të përfitojë një pagë prej 200 milionë eurosh në sezon, me një kontratë që do të zgjaste deri në qershorin e 2025-ës. Shumë prej mediave spanjolle, përfshirë edhe ‘Marca’ e bënin të sigurt kalimin e ish-lojtarit të Real Madrid tek Al Nassr, mirëpo për momentin nuk ka asnjë konkretizim të kësaj marrëveshjeje. Vetë Ronaldo ka shuar zërat, të paktën tani për tani, duke u shprehur se nuk është e vërtetë se ai ka firmosur me skuadrën e Al Nassr. 5 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ kërkon të përqëndrohet tek botërori me Portugalinë dhe e ardhmja e tij do të zbulohet vetëm pas aventurës së përfaqësuese luzitane në Katar. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit të Al Nassr e kanë pranuar se nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare, por kanë patur bisedime mjaft optimiste me agjentin e lojtarit. Ndonëse Ronaldo preferon të luajë në ‘Champions League’, por propozimi financiar i Al Nassr është thuajse i parefuzueshëm. Ronaldo në këtë situatë mund të shtyhet edhe nga dëshira e familjes së tij, teksa në total, me ekipin arab do të përfitonte deri në fund të kontratës plot 500 milionë euro.