Cristiano Ronaldo: Kam menduar tërheqjen nga Portugalia

Sport

Cristiano Ronaldo pranon që ka menduar tërheqjen nga përfaqësuesja portugeze. Gjithçka nisi në Katar, teksa 5 herë fituesi i Topit të Artë humbi vendin e titullarit dhe u ul në stol, një ngjarje që padyshim bëri mjaft bujë përgjatë kompeticionit.

Në lidhje me një ngjarje të tillë, në prag të eliminatoreve të Euro 2024, vetë sulmuesi është shprehur se në një moment aq të vështirë, ai ka menduar të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar.

“Të jem i sinqertë, e kam menduar tërheqjen. Kam reflektuar bashkë me familjen time, por arritëm në përfundimin që nuk duhet të ndaleshim këtu. E kam analizuar situatën nga disa këndvështrime të ndryshme dhe kam mësuar shumë prej saj”, ka thënë CR7.

Tani Portugalia drejtohet nga një tjetër trajner, sikurse është Roberto Martinez dhe Ronaldo është mjaft i lumtur që ka marrë ftesën e radhës në kombëtare nga tekniku spanjoll.

“Jam i lumtur që jam sërish pjesë e ekipit përfaqësues. Jam i lumtur gjithashtu edhe për ftesën e trajnerit dhe që ai më konsideron ende të rëndësishëm. Kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe ambicia ime është që ta dërgoj Portugalinë në nivelin më të lartë. Do jap më të mirën time sa herë që të jetë nevoja”, ka mbyllur 38 vjeçari.

Përveçse mban rekordin si lojtari që ka shënuar më shumë gola me një kombëtare, plot 118, të enjten, CR7 mund të thyejë një tjetër rekord. Ndaj Liechtenstein, ai mund të bëhet si lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje me një kombëtare, 197-të.