Me 3 golëshin e shënuar ndaj Tottenham, Cristiano Ronaldo bëhet zyrtarisht golashënuesi më i mirë i historisë së futbollit, me 807 finalizime. Përpara kësaj sfide, portugezi ishte kthyer në një temë diskutimi në kampin e Manchester United. Opinione të ndryshëme në Angli dhe jo vetëm, nga personazhe të njohura të këtij sporti, dilnin në përfundimin se CR7 ishte kthyer në një problem për djajtë e kuq, pasi skuadra nuk po funksiononte siç duhet rreth tij. Me fjalë të tjera, CR7 konsiderohej i tepërt në radhët e të kuqve të Manchesterit.
Ndoshta, të paktën për momentin, të tilla konkluzione hedhur poshtë nga vetë Ronaldo, i cili është përgjigjur me një 3 golësh në fushën e lojës, duke mbajtur njëkohësisht gjallë shpresat e United për një vend në Champions League edicionin e ardhshëm.
Madje, pas përfundimit të takimit ndaj Spurs, trajneri Ralf Rangnick u shpreh se kjo ishte performanca më e mirë e sulmuesit që prej kohës kur gjermani ka marrë drejtimin e skuadrës. Më tej, edhe Pogba është shprehur se CR7 asnjëherë nuk ka qenë një problem për djajtë e kuq. Madje ata janë krenarë që në përbërje të ekipit kanë golashënuesin më të mirë të historisë së futbollit.
Më tej, kjo fitore dhe kjo paraqitje pozitive e Ronaldos erdhi pikërisht në momentin e duhur për Manchester United, sepse të martën mbrëma, në Old Trafford, 3 herë kampionët e Europës, presin Atletico Madrid, për të luajtur sfidën e kthimit të raundit të 1/8-tave, aty ku nga ky çift do të përcaktohet një prej skuadrave të tjera çerekfinaliste të UEFA Champions League.