Cristiano Ronaldo ka shënuar golin e 700-të në karrierë sa i përket futbollit të klubeve. Në ndeshjen ndaj Evertonit, e vlefshme për javën e 9-të të Premier League, CR7 ka gjetur rrugën e rrjetës, në atë që ishte edhe finalizimi i tij i parë këtë sezon në kampionat.
Duhet të vinte minuta e 44, që portugezi, i asistuar nga Casemiro, ta dërgonte topin në fundin e rrjetës. Finalizimi i 37 vjeçarit, rezultoi vendimtar, sepse i siguroi fitoren 2-1 skuadrës së United, në atë që mund të konsiderohet një reagim pozitiv pas turpërimit 6-3 në derbi ndaj Manchester Cityt.
Goli i realizuar ndaj bluve të Merseyside, mund të shërbejë si një zhbllokim për numrin 7-të, i cili në këtë mënyrë mund të ketë fituar edhe një vend titullari tashmë në radhët e formacionit të trajnerit Erik ten Hag.
700 golat e karrierës së Ronaldos kanë ardhur me 4 klube të ndryshme, me një total prej 944 ndeshjesh të luajtura. Me fanellën e United, sulmuesi portugez ia ka dalë të shënojë 140 herë. 450 me Real Madrid, 101 me Juventusin dhe 5 me Sportingun e Lisbonës. Prapa tij, mbetet Lionel Messi, me vetëm 9 finalizime më pak. Për momentin, argjentinasi ndodhet në kuotën e 691 golave në 825 ndeshje të luajtura me fanellën e Barcelonës dhe PSG-së.
Sidoqoftë, më tepër sesa për paraqitjet në fushë, Ronaldo vazhdon të mbetet më i komentuar rreth të ardhmes së tij, që duket larg nga “Old Trafford”. Mbetet për t’u parë se ç’do të ndodhë në afatin kalimtar të janarit, pasi në Angli nuk kanë munguar raportimet se CR7 do kërkojë largimin nga djajtë e kuq, për t’u transferuar në një tjetër klub, aty ku do të ketë mundësinë të luajë edhe në Champions League, një kompeticion aq shumë i lakmuar për të.