Pas Cristiano Ronaldos tashmë të larguar, Manchester United ka nisur kërkimet për një tjetër sulmues. Në mënyrë që skuadra të jetë e kompletuar, operacioni duhet të kryhet në merkaton e janarit dhe sikurse bëjnë me dije mediat britanike, 20 herë kampionët e Anglisë po mendojnë që të rikthejnë një tjetër lojtar në shtëpi.
Bëhet fjalë për Memphis Depay. Për momentin, hollandezi është pjesë e Barcelonës, kontrata e të cilit përfundon në verën e 2023-shit. Mundësitë që diçka e tillë të ndodhë janë të mëdha, duke marrë parasysh këtu faktin se aktivizimi i Depayt në “Camp Nou” është me pikatore. Ai nuk preferohet titullar nga trajneri Xavi Hernandez dhe një gjë e tillë e ka zhgënjyer disi lojtarin, sepse transferimi në radhët e klubit katalanas në verën e 2021-shit nuk ka shkuar aspak sipas planit.
Në kushte si këto, nuk përjashtohet mundësia që Depay tashmë, të jetë duke paketuar valixhet nga “Camp Nou” dhe të zbarkojë edhe një herë tjetër në “Old Trafford”. Fakti që Manchester United drejtohet nga një trajner hollandez si Erik Ten Hag, mund të cilësohet diçka pozitive për futbollistin, sepse në këtë mënyrë mund t’i ndërtojë më mirë urat e komunikimit me bashkëkombasin e tij.
Epoka e parë e Memphis Depay nisi në vitin 2015-të dhe zgjati vetëm dy sezone. Përgjatë asaj kohe, sulmuesi u aktivizua 53 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar vetëm 7 gola dhe 6 asist.