Pasi Lionel Messi dhe Karim Benzema u treguan vendimtarë me skuadrat e tyre përkatëse në ndeshjet e fundit, në distance, atyre u është përgjigjur edhe Cristiano Ronaldo. Në takimin që Al Nassr luajti ndaj Zamalek, e vlefshme për raundin e 3-të të Kupës së Arabisë, me finalizimin e tij, portugezi e shpëtoi skuadrën nga eliminimi, e njëkohësisht i siguroi kualifikimin në çerekfinale.
Deri në minutën e 87-të, Al Nassr po mposhtej 1-0, rezultat që e rendiste në vendin e 3-të të Grupit C. Mirëpo, pikërisht atëherë kur nevojitej më shumë, u shfaq CR7, i cili me një ekzekutim me kokë, e dërgoi topin në fundin e rrjetës, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit kundërshtar.
Në këtë mënyrë, barazimi ishte i mjaftueshëm që Al Nassr të siguronte vendin e dytë në Grup, e njëkohësisht kualifikimin në çerekfinale të Kupës, atje ku do të përballet skuadrën e Raja Casablanca.
Nuk dihet nëse në rrugëtimin e Kupës, CR7 me Al Nassr dhe Benzema me Al Ittihad do të përballen mes tyre, por mundësitë janë të mëdha që një e tillë të ndodhë. Deri më tani, dy-ish shokët e skuadrës tek Real Madrid, janë golashënuesit më të mirë të Kupës së Arabisë. Benzema numëron 3 gola, kundrejt 2 të Ronaldos.
Më tej, deri më tani, viti 2023 mund të konsiderohet i sukseshëm për Ronaldon në aspektin personal. Në total, sulmuesi ka luajtur 26 ndeshje, përfshirë këtu edhe ato me Portugalinë, e gjithësej ka shënuar 21 gola. Me fjalë të tjera, ndonëse 38 vjeç, CR7 vijon të bëjë diferencën në fushën e lojës.