Bëmat e Cristiano Ronaldos vazhdojnë edhe jashtë fushës së lojës. Vendimi i Fernando Santosit për ta lënë në stol në ndeshjen ndaj Zvicrës në raundin e 1/8-tave, mesa duket nuk ka kaluar pa pasoja. Ndonëse tekniku mohoi të kishte probleme me numrin 7-të, duke thënë krejtësisht të kundërtën në konferencë, mesa duket një gjë e tillë është e vështirë të jetë e vërtetë.
Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, CR7 nuk e ka pritur aspak mirë faktin që është lënë në stol. Madje, në stërvitjen e ditës së mërkurë që Portugalia ka zhvilluar në Katar, trajneri Santos zhvilloi një seancë stërvitore me lojtarët që ndaj Zvicrës ishin rezervë, por Ronaldo nuk ishte pjesë e tyre. Ai preferoi të qëndronte me pjesën tjetër të futbollistëve, të cilët luajtën titullarë ndaj Zvicrës dhe që punuan me disa ushtrime në palestër. Çdo veprim i Ronaldos merr përmasa shumë të gjera dhe shkakton rrëmujë. E pikërisht ky është një ndër ato raste.
Nuk dihet me saktësi nëse në çerekfinale ndaj Marokut, Ronaldo do rikthehet të jetë pjesë e formacionit titullar, apo ashtu sikurse ndaj helvetëve, edhe një herë tjetër do e ndjekë skuadrën nga stoli.