CR7 kërkon largimin nga Manchester United, ja ambiciet e portugezit

Sport

Cristiano Ronaldo kërkon largimin nga Manchester United. E ardhmja e sulmuesit mbetet e paqartë, por mundësitë janë tepër të mëdha që ajo të jetë larg nga Old Trafford.

Deklaratë publike nga vetë lojtari në lidhje me këtë temë nuk ka, por janë mediat britanike ato që raportojnë se portugezi I ka kërkuar klubit që të largohet nga Teatri I Ëndrrave. Situata do të qartësohet përgjatë ditëve në vijim, në momentin kur 5 herë fituesi I Topit të Artë të rikthehet nga pushimet. E hëna ishte parashikuar si dita kur CR7 do bashkohej në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Klubi I ka dhënë leje lojtarit dhe mediat raportojnë se Ronaldo ka munguar në stërvitje për arsye familjare.

Trajneri Erik ten Hag po e pret në qendrën stërvitore dhe do bisedojë gjerë e gjatë me sulmuesin, për të kuptuar sa më mirë kontekstin e këtij të fundit. Trajneri hollandez e ka në planet e tij yllin portugez, ambiciet e të cilit mbeten të mëdha për të luajtur në nivelet më të larta. Me fjalë të tjera, CR7 kërkon të luajë në Champions League në sezonin e ardhshëm, diçka që United nuk ia ofron dot.

Kjo konsiderohet si arsyeja kryesore që Ronaldo kërkon të largohet nga të kuqtë e Manchesterit dhe të transferohet diku tjetër, në mënyrë që të ketë mundësi për të luajtur në Champions.

Nga ana tjetër, United nuk e dëshiron largimin e lojtarit, sepse në të kundërt, do ishte I detyruar të ndërhynte në merkato, mirëpo buxheti për të shpenzuar në një tjetër sulmues është I limituar. Për këtë arsye, klubi kërkon që CR7 të qëndrojë, të paktën edhe për një sezon, sepse në verën e ardhshme I përfundon kontrata, prej së cilës, përfiton rreth 510 mijë euro në javë.