CR7 debuton me dy gola në Arabinë Saudite

Sport

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi dhurojnë spektakël në Arabinë Saudite. Kjo miqësore bëri bashkë yjet e Al-Hilal dhe Al-Nars, kundër PSG, ndeshje që përfundoi me rezultatin 5-4 për gjigantët franezë.

Kjo ishte një sfidë, që edhe një herë tjetër vendosi përballë njëri-tjetrit dy nga lojtarët më të jashtëzakonshëm që ka parë ndonjëherë historia e futbollit. Dy lojtarë, të cilët, pjesën më të madhe të karrierës së tyre e kanë kaluar duke thyer rekordet e njëri-tjetrit.

Sfida nuk zhgënjeu aspak. Messi i dha epërsinë skuadrës së tij që në minutën e 3-të, ndërsa CR7 riktheu barazpeshën nga pika e bardhë. Portugezi shënoi edhe një herë tjetër në fundin e pjesës së parë, duke barazuar sërish, pasi Marquinhos më herët i kishte dhënë avantazhin Parisit.

Sidoqoftë, ndonëse me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq të marrë nga Bernat në pjesën e parë, në të dytën, skuadra e Christophe Galtier shënoi edhe 3 herë të tjera, me anë të Ramos, Mbappe dhe Ekitike, ndërsa për ekipin aziatik shënoi Soo dhe Talisca.

Në këtë mënyrë, kjo ishte ndeshja e parë e Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite, në të cilën 5 herë fituesi i Topit të Artë arriti të debutonte me dy gola, duke u shpallur në fund edhe si lojtari më i mirë i takimit.

Sidoqoftë, trofeun modest të kësaj miqësore e fitoi Messi me shokë.