Coutinho zgjedh Bayern përpara Barcelonës dhe Liverpool

Sport

Philippe Coutinho po e shijon në maksimum eksperiencën e tij tek Bayern Munich, ku braziliani synon të rigjejë formën më të mirë. Fantazisti është shfaqur mjaft i lumtur me angazhimin e tij tek kampionët e Gjermanisë dhe thotë se është përshtatur shumë shpejt. Lojtari thotë se Thiago Alcantara është një nga ata që e ka ndihmuar më shumë që prej zbarkimit të tij në Munich, i cili sipas tij ka kaluar një situatë të ngjashme me të përpara se vinte në Gjermani. Madje 27-vjeçari nuk nguron të bëjë edhe krahasime me dy nga ish-skuadrat e tij, Liverpool dhe Barcelona.


“Tek Bayern ndihem shkëlqyeshëm. Mund të them se në këtë klub ndihem si në familje, më shumë se te Barcelona apo Liverpool.”
Fjali që tregojnë jo pak rreth gjendjes psikologjike të lojtarit, që tek Barcelona ka qenë më i kritikuari gjatë sezonit të kaluar. Coutinho po përpiqet të lërë pas problemet që hasi në ‘Camp Nou’ dhe kërkon të listohet sërish mes më të mirëve. Ndërsa tashmë duket se edhe Liverpool nuk zë më të njëjtin vend për të. Aktualisht, Coutinho luan si i huazuar tek Bayern Munich, me kampionët në fuqi të ‘Bundesliga’-s që kanë të drejtën për ta blerë kartonin e tij nga katalanasit për shifrën e 125 milionë eurove. Ndërsa vetëm për huazimin e brazilianit deri në fundin e këtij sezoni, bavarezët shpenzuan 8,5 milionë euro.