Prej disa javësh në Spanjë ka qarkulluar lajmi se Philippe Coutinho do të largohej nga Barcelona për t’u rikthyer sërish në ‘Premier League’. Madje kishte nga ata që e bënin si fakt të kryer kalimin e brazilianit tek Manchester United në sezonin e ardhshëm. Megjithatë, vetë 26-vjeçari ka mohuar gjithçka që është folur rreth tij deri më sot, duke u shprehur se ndihet mjaft i lumtur tek Barcelona dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga blaugranat, të paktën jo në këtë moment të karrierës. Coutinho u shpreh se nuk ka patur asnjë problem tek katalanasit, pavarësisht spekulimeve mediatike, të cilat braziliani i quajti të pabazuara.
I pyetur në lidhje me formën e tij, Coutinho e pranoi se mund të bëjë edhe më mirë dhe se është përpjekur të realizojë me përpikmëri detyrat e dhëna nga trajneri Ernesto Valverde. 26-vjeçari shtoi se ka shumë dëshirë për të fituar tituj dhe tek Barcelona mendon se ka gjetur rrugën e duhur për të realizuar objektivat e tij. Coutinho ishte lidhur shumë me një transferim drejt Manchester United. Por për t’i dhënë fund zërave, ai u shpreh se nëse Barcelona ia del mbanë të eleminojë ‘djajtë e kuq’ nga Champions League, atëherë për të do të ishte një gëzim i dyfishtë, pasi e konsideron veten gjithnjë pjesë të ish-skuadrës së tij, Liverpool.