Coutinho premton se do të përmirësohet

Sport

Philippe Coutinho nuk ka patur një sezon të mirë me Barcelonën dhe për këtë është i vetëdijshëm edhe vetë braziliani. Mesfushori i katalanasve ka pranuar se ka hasur shumë vështirësi në këtë sezon që lamë dhe se kritikat ndaj tij janë të merituara. Coutinho u transferua nga Liverpooli për 120 milionë euro në janarin e vitit 2018 dhe pritshmëritë ndaj mesfushorit ishin mjaft të larta. Megjithatë, 26-vjeçari nuk ka treguar shkëlqimin që kishte tek ‘the reds’ dhe kjo ka bërë që të lindin edhe spekulime për një largim të tijin nga Barcelona. Gjatë sezonit 2018/19, Coutinho realizoi 8 gola dhe 5 asiste mes ‘La Liga’-s dhe ‘Champions League’-ës, diçka që nuk ka kënaqur as vetë lojtarin.

Braziliani madje do të humbiste edhe vendin e titullarit, që do t’i rrëmbehej nga Ousmane Dembele. Mirëpo edhe kur francezi u dëmtua, Coutinho dështoi të linte gjurmë, ndërsa kritikat ndaj tij arritën kulmin pas performancës së dobët në eleminimin nga ‘Champions League’-a në sfidën me Liverpool. Por mesfushori premtoi se gjërat do të ndryshojnë nga sezoni i ardhshëm. 26-vjeçari tha se është nga ata persona që punojnë shumë dhe se do të japë më të mirën e tij për t’u përmirësuar dhe për të fituar besimin e skuadrës dhe të tifozëve katalanas. Aktualisht, Coutinho është i grumbulluar me kombëtaren braziliane dhe ka gjetur mbështetjen masive nga shokët e skuadrës ‘Seleçao’ për të kaluar këtë moment të vështirë të karrierës së tij.