Coutinho mendon ende për…

Sport

Ardhja e Antoine Griezmann apo edhe një rikthim i mundshëm i Neymar mund të detyrojë Barcelonën të largojë ndonjë lojtar të fazës sulmuese, duke qenë se ky repart po mbipopullohet. Ousmane Dembele është përfolur shpesh për një kalim tek Bayern Munich, ndërsa në dyshim mund të jetë edhe e ardhmja e Coutinhos. Braziliani nuk ka dhënë atë që pritej kur Barcelona e bleu nga Liverpooli, me këta të fundit që duket se mbeten ‘pika e dobët’ e Coutinhos. Është vetë agjenti i lojtarit që ka konfirmuar se 27-vjeçari ndjek dhe mendon gjithmonë për Liverpoolin, duke qenë se aty kaloi disa nga momentet më të mira të karrierës së tij. Lidhja që Coutinho ka me ‘the reds’ ka bërë që agjenti i tij të mos pranojë të hyjë në bisedime me skuadrën e Manchester United, duke qenë se kjo e fundit konsiderohet si skuadra rivale e Liverpool.

Madje agjenti i Coutinhos shtoi se nëse klienti i tij vendos të rikthehet në Angli, do ta bëjë vetëm për Liverpoolin. Sinjale të qarta këto nga ana e Coutinhos. Aventura në Katalonjë tek Barcelona nuk ka shkuar në mënyrën e duhur, pasi shpesh ka qenë edhe në qendër të kritikave. Liverpooli ende nuk ka bërë ndonjë lëvizje konkrete në merkaton në hyrje dhe ndoshta Coutinho mund të jetë një mundësi. Para pak kohësh u përfol se Barcelona mund të dërgonte lojtarin brazilian në huazim 2-vjeçar tek ‘the reds’, por këto zëra u hodhën poshtë nga agjenti i Coutinhos, që kërkon vetëm ndonjë lëvizje përfundimtare në rast largimi nga katalanasit.