Ndonëse erdhi në skuadër si blerja më e shtrenjtë e historisë së Barcelonës, Coutinho ende nuk ia ka dalë mbanë të lërë gjurmën e tij tek katalanasit. Në sfidën e fituar me përmbysje ndaj Sevillas, braziliani e nisi si titullar, por performanca e tij nuk ishte në nivelin e pritur. Edhe njëherë tjetër, Coutinho u pa të ishte shumë larg formës që kishte kur luante tek Liverpooli. 26-vjeçari ka dhënë shumë pak nga aftësitë e cilësitë e tij, që as katalanasit e as mediat nuk e vënë në diskutim, por duket se Coutinho po has jo pak probleme për të dalë në lojën e tij. Shumë kanë nxituar ta lidhin këtë me formën e Leo Messit, që mbetet vendimtar tek katalanasit, ndoshta edhe duke eklipsuar formën e lojtarëve të tjerë.
Coutinho është kthyer në një zgjedhje të dytë për trajnerin Ernesto Valverde, që në krahun e majtë preferon më së shumti Osumane Dembelen se sa brazilianin. Në një situatë të tillë, nuk përjashtohet mundësia që klubi të mendojë shitjen e Coutinhos, por vështirë se braziliani do të largohej për të njëjtin çmim prej 120 milionë eurosh plus 40 të tjera bonuse që Barcelona shpenzoi për të marrë nga Liverpooli, prandaj për momentin zgjidhja më e mirë shihet që besimi tek lojtari, në mënyrë që ai të rifitojë sa më shpejt formën e tij e të shfaqë talentin njësoj siç bënte kur luante në ‘Premier League’.