Zyrtarisht, Antonio Conte është shkarkuar nga Chelsea dhe tashmë pritet të zëvendësohet menjëherë nga ish-trajneri i Napolit, Maurizio Sarri. Për këtë vendim, Conte është informuar të enjten, teksa gjithçka wshtw bwrw publike edhe përmes një komunikate zyrtare. “Chelsea Football Club dhe Antonio Conte kanë ndarë rrugët. Gjatë kohës së Antonio Contes, ne kemi fituar trofeun e gjashtë të ligës dhe trofeun e tetë të FA Cup.
Ne i dëshirojmë Contes shumë suksese në të ardhmen e tij”, ka shkruar klubi blu në komunikatë. Ndër të tjera mësohet se dy palët kanë rënë dakord për shumën e dëmshpërblimit për italianin. Saktësisht, Chelsea do t’i paguajë 9 milionë euro Contes, përderisa ai ishte nën kontratë dhe nuk donte të largohej. Conte drejtoi Chelsean për dy vite, teksa në vitin e parë ai i shpalli londinezët kampionë të Anglisë. Por, në sezonin e dytë ai dështoi ta kualifikojë Chelsean në Champions League. Kjo ishte edhe një nga arsyet, që sollën shkarkimin e tij.