Conte nuk sheh ‘një finale’ ndaj Dortmund, por kërkon fitoren e Inter

Sport

Antonio Conte, trajneri i Inter:

“Ta përshkruash këtë ndeshje si një finale është pak e ekzagjëruar. Sigurisht, është një ndeshje shumë e vështirë, përballë një kundërshtari të fortë, por besoj se këto ‘finalet’ do të vijnë më vonë. Çdo ndeshje është si një hap që bëjmë në këtë rrugëtim. Përtej rezultatit, unë dua të shoh përmirësime në çdo aspekt. E dimë se duhet të provojmë ta fitojmë këtë ndeshje. Në të njëjtën kohë, jemi të vetëdijshëm se më çfarë kundërshtari përballehmi. Duhet të përqëndrohemi për të dhënë gjithçka që kemi, për të mos patur asnjë pendesë pas vërshëllimës së fundit. Nuk dua që lojtarët të ndjejnë presionin që vijnë nga sfida të tilla, që cilësohen si shumë vendimtare për misionin tonë. Dëshiroj të shoh skuadrën time të luajë futboll të bukur dhe lirisht, njësoj si në çdo takim tjetër.”

Marcelo Brozovic, mesfushor i Inter:

“Jam pjesë e Inter prej 3 apo 4 vitesh, por kjo është skuadra më e mirë që kemi patur. Shumë lojtarë me eksperiencë na janë bashkuar. Tani duhet ta tregojmë në fushë se sa të aftë jemi dhe se kemi punuar shumë për të arritur objektivat tanë. Kjo e sotmja është një ndeshje e vështirë dhe shumë e rëndësishme për ne. Por do të luajmë përpara tifozëve tanë, prandaj do të kërkojmë vetëm fitoren. Të gjithë jemi përkushtuar sa më shumë në stërvitje, pasi e dimë se tani gabimet mund të na kushtojnë më shumë se më parë.”