Conte fiton gjyqin me Chelsea, ‘blutë’ e Londrës refuzojnë të konfirmojnë!

Sport

Antonio Conte është një ndër emrat më të lakuar sa i përket merkatos së trajnerëve, me një listë të gjatë skuadrash që janë gati të bëjnë gjithçka për të vendosur në stol teknikun 49-vjeçar. Megjithaë në Britani, italiani është përmendur nga mediat më shumë për një tjetër çështje, atë të gjyqit ndaj ish-skuadrës së tij, Chelseat. Conte raportohet të ketë dalë fitues në gjykatën e lartë, me këtë të fundit që ka urdhëruar klubin londinez t’i paguajë Conte shumën e 9 milion paundëve. Antonio Conte drejtoi Chelsea për 12 muaj, por u shkarkua nga detyra nga presidenti Roman Abramovich, ndonëse në kontratë, tekniku italian kishte edhe 1 vit tjetër.

Palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët dhe çështja shkoi në arbitrazhin sportiv. Megjithatë, është dashur një vendim nga Gjykata e Lartë për t’i dhënë fund kësaj historie. Siç raporton ‘The Times’, Chelsea tashmë i ka paguar detyrimet ndaj Contes, ndonëse kur pyeten nga gazetarët në ishull, drejtuesit e ‘bluve’ refuzojnë të komentojnë apo edhe qoftë të konfirmojnë një gjë të tillë. Ndërsa për Conten tashmë gjërat mund të ecin qetësisht, me trajnerin 49-vjeçar që pritet të zbulojë se cila do të jetë skuadra e radhës që do të drejtojë. Më së shumti përflitet për ekipet italiane, me Interin që mbetet në krye, aq sa mediat thonë se do të ketë një firmë në kontratë gjatë javës së ardhshme.