Liverpool fitoi 4-1 transfertën në ‘Do Dragao’ përballë Portos, duke rikthyer një skenar të ngjashëm me atë të sezonit të kaluar. Të besuarit e Jurgen Klopp bënë një lojë të kujdesshme dhe shënuan 4 gola në 5 goditje drejt portës së Casillas. Kampionët në fuqi të Portugalisë nga ana tjetër provuan që në fillim të shënonin në portën e Allison, çfarë mund të kishte rihapur takimin nëse do të vinte në momentin e duhur. Trajneri i ‘dragonjve’, Sergio Conceicao u shpreh se për atë çfarë dha në fushë, skuadra e tij meritonte shumë më shumë se sa një humbje të tillë. Por 44-vjeçari u shfaq i dorëzuar përballë cilësisë së ‘the reds’. Conceicao këmbënguli në faktin se në ato pak goditje që bënë, lojtarët e Liverpool ishin të aftë të shënonin. Ndërsa tek Porto krijuan raste të panumërta, por pa ditur të finalizojnë siç duhet aksionet e tyre në zonën e miqve.
Mjaft i kënaqur me paraqitjen e të tijve ishte Jurgen Klopp, që e nënvizoi këtë takim si mjaft të rëndësishëm, për të parë reagimin e lojtarëe të tij nën presionin e vendasve. Tekniku gjerman u ngacmua me njëherë nga gazetarët për sfidën e vështirë që i pret në gjysmëfinale përballë Barcelonës. Çështja kryesore mbetet mënyra se si do të ndalohet Lionel Messi, por Klopp u përgjigj me shaka se për fatin e tij të mirë, ka disa netë në dispozicion për të menduar një taktikë që do të minimizonte dëmet nga Leo Messi, pasi argjentinasi për të është thuajse i pandalshëm.