Ishte programuar si një ndeshje miqësore mes të dyja skuadrave, në kuadër të fazës përgatitore për secilën prej tyre, përpara nisjes së sezonit të ri. Mirëpo përballja me Como-s dhe Betis, e zhvilluar në Cadice të Spanjës, ka qenë shumë larg një miqësoreje. Në sfidën që skuadra italiane e fitoi me rezultatin 2-3, pati tensione të vazhdueshme, ndërhyrje të ashpra, kartona të kuq dhe pak boks. Gjithçka nisi pas një kontakti në minutën e 46 të pjesës së parë dhe gjërat dolën nga kontrolli. Mes lojtarëve pati përplasja të ashpra, si ajo e Perrone-s ndaj Bellerin apo edhe shkëmbime grushtat me arbitrin që përpiqej të shihte me kujdes episodet e shumta të asaj sekuence. Është dashur ndërhyrja e lojtarëve të tjerë, atyre të stolit, bashkë me stafet teknike që gjërat të riktheheshin në normalitet. Kështu, udhëtimi i Como-s në Spanjë nuk përfundoi mes qetësisë së plazheve, të paktën jo për disa lojtarë, që në fund, kanë refuzuar edhe të shtrëngojnë duart me disa elementë të caktuar të ekipit të Betis. Sa i përket takimit, Como mori avantazhin e dyfishtë brenda pjesës së parë, falë golave të Diao dhe Da Cunha. Ne pjesën e dytë, Betis barazoi gjithçka me penalltinë e veteranit Isco dhe realizimin e Junior Firpo. Ndërkohë që fitoren për Como-n, e siguroi Azon, në minutën e dytë të shtesës. Me të tjera investime të rëndësishme të bëra gjatë merkatos se verës, Como synon të bëjë një tjetër sezon mbresëlënës në ‘Serie A’, me shpresën që të luftojnë, pse jo, edhe për një vend në zonën europiane.
