Nicky Hayen, trajneri i Club Brugge:
“Kemi mbërritur deri në këtë pikë, por ne duam më shumë se kaq. Ne jemi një klub ambicioz dhe do të synojmë të shkojmë në raundin tjetër. Atalanta është një kundërshtar i disiplinuar, një ekip me plot kualitet dhe me një aftësi të lartë për të shënuar. Po flasim për një skuadër të fortë. Ndoshta jo gjithmonë spektakolare, por që performon në nivel të kënaqshëm, qoftë në shtëpi, gjithashtu edhe në transfertë. Ata janë prezantuar mirë, si Serie A, apo edhe në kompeticionet europiane që kanë marrë pjesë. Performanca dhe rezultatet e arritura prej tyre përgjatë edicioneve të fundit, është diçka për t’u marrë shembull.
Megjithatë, ne duhet të përqendrohemi tek vetja jonë. Kemi besim. Kemi besim, sepse vijmë nga një fushatë pozitive në Fazën e Ligës. Kjo gjë na bën të qëndrojmë pozitivë, se rrugëtimi ynë në Champions League do të zgjasë edhe më shumë se kaq. E dimë po ashtu se nuk do të jetë aspak e lehtë, por kur je pjesë e futbollit të këtij niveli, çdo ndeshje e luajtur është një sfidë me vete. Mund të them se Atalanta është favorite për të dalë fituese nga ky çift, por ne duam t’u vërtetojmë njerëzve të kundërtën. Jemi gati të konkurojmë denjësisht. Uroj që pas ndeshjes, të shkojmë me një rezultat pozitiv në Bergamo”.
Joaquin Seys, mbrojtësi i Club Brugge:
“Ne mund të konkurojmë në këtë nivl dhe mendoj se zotërojmë kapacitetin e duhur për t’i përballuar më së miri ndeshjet europiane. Kemi bërë një rrugë të gjatë deri këtu, por nuk duam të ndalemi me kaq. Synimi ynë është të kualifikohemi përtej këtij raundi. Jemi të bashkuar, të gjithë me të njëjtën bindje dhe besim; ne nuk duam që rrugëtimi ynë në Champions League të mbyllet këtu. Sigurisht që Atalanta është një skuadër më shumë kualitet, por as ne nuk mbetemi prapa në këtë aspect. Mundësitë për kualifikim, i shikoj të barabarta për të dyja skuadrat. Këto janë ndeshje që të karikojnë në maksimum dhe që përjetohen ndryshe. Në Champions League konkurojnë ekipet më të forta të Europës dhe këto janë pikërisht ato ndeshje në të cilat ne duam të konkurojmë”.
Gian Piero Gasperini, trajneri i Atalantës:
“Kjo është hera e parë që do të luajmë ndaj Club Brugge. Ata janë një superfuqi futbolli në Belgjikë, kështu që mendoj se kjo do të jetë një sfidë shumë e vështirë. E kemi studiuar kundërshtarin dhe ajo që mund të them është fakti se ata janë mjaft të organizuar. Këtë e tregon edhe fakti se ata kanë luajtur përballë skuadrave të tjera italiane, qoftë ndaj Milanit apo Juventusit dhe kanë luajtur ndeshje dinjitoze. Në kontekst, nuk pres që për ne të jetë më mirë. Madje përkundrazi. Parashikoj një 90 minutësh mjaft të vështirë.
Në këtë raund, jemi kthyer pak a shumë në formatin klasik të Champions League, me ndeshje vajtje-ardhje, çka do të thotë se në total janë 180 minuta për t’u luajtur. Megjithatë, 90 të parat, sigurisht që kanë një ndikim të madh për mënyrën se si do të shkojë ndeshja e dytë.
De Ketelaere? Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Sonte do të luajë ndaj ish-skuadrës së tij. Megjithatë, ai thjesht duhet të luajë ashtu siç bën gjithmonë, apo siç ka bërë deri në këtë fazë të sezonit. Për një futbollist, apo sulmues, nuk është aspak e thjeshtë që të performojë gjithmonë në nivelin më të lartë të mundshëm, duke marrë parasysh edhe faktin që ndeshjet janë shumë të ngjeshura nga njëra-tjetra. Sidoqoftë, mendoj se për të, kjo do të jetë një ndeshje e veçantë, kështu që është njëkohësisht edhe i motivuar për të dhënë më të mirën e tij. Të luash në Champions League është diçka spektakolare dhe një dhuratë e madhe për të gjithë ne. Sigurisht, edhe me mbështetjen e tifozëve, ambicia është gjithmonë për të fituar.”
Charles De Ketelaere, sulmuesi i Atalantës:
“Ndjesia është sikur jam rikthyer në shtëpi. Unë u rrita këtu dhe kam kujtime shumë të bukura me këtë klub. Ky është një moment, apo eksperiencë e veçantë, sepse mbase nuk do të kem më mundësinë të luaj ndaj Club Brugge.
Ndeshja do të jetë e vështirë. Club Brugge luan shumë mirë, ndonëse që prej kohës kur kam ikur unë, janë larguar gjithashtu edhe shumë lojtarë të tjerë. Por unë e di mënyrën e tyre të lojës, kështu që do të jetë një sfidë shumë e komplikuar. Ndeshjet e Champions League përjetohen shumë në këtë stadium dhe do të thoja gjithashtu se Brugge ka një lojë me mjaft intensitet.
Por ne, kemi ardhur këtu për të fituar dhe ky është pikërisht mentaliteti që duhet të pasqyrojmë në fushën e lojës. Duam të kthehemi në shtëpi me një rezultat pozitiv, në mënyrë që t’ia bëjmë më të lehtë situatën vetes në ndeshjen e kthimit.”