Claudio Ranieri emërohet zyrtarisht trajner i Romës

Sport

Claudio Ranieri është emëruar zyrtarisht trajner i Romës. Disa kohë më parë, tekniku 73 vjeçar kishte deklaruar tërheqjen nga profesioni i tij dhe nëse një ditë do të rikthehej sërish në aktivitet, kjo do të ndodhte vetëm nëse Roma kishte nevojë për të. E në fakt kështu ndodhi. Pas largimit të Daniele De Rossit, e më pas Ivan Juriç, e gjendur mes 4 rrugëve për të dalë nga kriza që e ka mbështjellë, Roma ka kërkuar ndihmën e Claudio Ranierit dhe ky i fundit është përgjigjur menjëherë. Me klubin vedhekuq, italiani ka firmosur deri në 20 Qershor të 2025-tës, pra, deri në fund të sezonit, kontratë, nga e cila do të përfitojë rreth 1.5 mln euro, plus bonuse të ndryshme, në varësi të objektivave që do të arrihen. Më pas, siç bëhet me dije, Roma do t’i ofrojë Ranierit një pozicion drejtuesi në klub, por gjithashtu, personazhi në fjalë, do të ketë mundësinë e zgjedhjes, për të vazhduar detyrën si trajner i skuadrës. Se ç’do të ndodhë, kjo mbetet për t’u parë në vijimësi, teksa, tani për tani, detyra e Ranierit është të nxjerrë Romën nga klasifikimi i vështirë në kampionat dhe ta kthejë atë në vendet e sipërme të tabelës. Ekipi verdhekuq renditet i 12-ti, me vetëm 13 pikë të mbledhura.