City-Monaco prodhoi 8 gola, Guardiola dhe Jardim përgëzojnë lojtarët

Sport

golfalcao

“Ishte një futboll i mrekullueshëm” kështu e ka cilësuar Pep Guardiola fitoren me përmbysje 5-3 që të tijët arritën në përballjen e parë me Monacon, të vlefshme për 1/8-at e Champions League-ës. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes në Etihad, trajneri i Manchester City-it, analizoi atmosferën që përcolli skuadra. Ai i komplimentoi të tijët duke i cilësuar tejet kurajoz për faktin se nuk hoqën dorë deri në minutën e fundit edhe pse kundërshtari shfaqi një lojë të fortë përgjatë gjithë takimit. “Eshtë një fitore e cila mendoj se kontribuuon shumë në historinë e klubit, pasi ndeshje me kaq emocione besoj se janë të pakëta në Champions League” – tha Guardiola, i cili i doli në krah mbrojtësve duke theksuar se stili i tij i lojës u kërkon më shumë lëvizje përpara se sa në prapavijë. Spanjolli këmbënguli edhe njëherë se Monaco ka cilësi të shkëlqyera në sulm dhe se ndeshja e kthimit do jetë sërish e vështirë.

Ndërkohë në anën tjetër, trajneri Leonardo Jardim, packa humbjes, nxorri një moral të fortë për skuadrën dhe tha se sfida me City-in ishte një tregues se të tijët mund ta luajnë si të barabartë cilëndo përballje evropiane. “U shënuan 8 gola! Lojtarët zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer. I kam përgëzuar shumë për këtë pjesë, edhe pse bëmë disa gabime në mbrojtje, të cilat na kushtuan shumë. Por them se çelësi i këtij rezultati ishte fakti se ne nuk shkuam dot në avantazhin 3-1″ – tha Leonardo Jardim, i cili theksoi se të tijët kanë edhe 90 minuta të tjera ku do të japin maksimumin dhe me lojën që u zhvillua në Etihad shpresa për një përmbysje në Luigji i II janë të mëdha.