I vlerësuar si një ndër mbrojtësit më të mirë në Europë, Kalidou Koulibaly ka fituar vëmendjen e shumë skuadrave dhe Manchester City duket se është gati të bëjë një hap konkret për nënshkrimin me mbrojtësin. Anglezët janë gati t’i ofrojnë Napolit një shumë prej 95 milionë eurosh për shërbimet e senegalezit, me këtë të fundit që pak kohë më parë pati shprehur dëshirën për të qenë një ditë nën urdhrat e trajnerit Pep Guardiola. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, oferta do shqyrtohet me kujdes nga ana e Napolit, që mund të pranojë të heqë dorë nga një prej yjeve të saj kryesorë.
James Rodriguez dhe Hirving Lozano janë përfolur se do të transferohen tek skuadra italiane, prandaj shitja e Koulibaly, do të silltë të ardhura të mjaftueshme që klubi i De Laurentis të ruante balancat financicare. Nga ana tjetër, Manchester City është vënë prej kohësh në kërkim të një mbrojtësi, duke qenë se reparti i prapavijës mbetet pika më delikate e skuadrës së Guardiolas. Afrimi i Koulibaly shihet si një transferim me mjaft peshë dhe që mund të bëjë diferencën tek mbrojtja e ‘citizens’. Në rast largimi i senegalezit do të konfirmohet, atëherë Napoli thuhet se ka gjetur edhe një pasues të denjë të tij. Kosta Manolas do të largohet nga Roma gjatë kësaj vere dhe Napoli duket të jetë një destinacion mëse i mundshëm për futbollistin grek, që do të gjente një vend titullari në formacionin e Carlo Ancelottit.