Cilët janë lojtarët që mendohet ti bashkohen Real Madrid-it gjatë verës?

Sport

Për të dytin vit radhazi, Real Madrid e mbyll merkaton e janarit pa asnjë përforcim, mirëpo kjo nuk do të thotë që drejtuesit e klubit të Los Blancos nuk po mendojnë për verën. Përveç Kylian Mbappe, një ëndërr e kahershme kjo për spanjollët, madrilenët kanë piketuar 2 lojtarë të tjerë, të cilët duan t’i transferojnë në Santiago Bernabeu.

Konkretisht bëhet fjalë për një mesfushor dhe një mbrojtës të majtë, sikurse janë Sorentin Toliso dhe Angelino. Të dy këta futbollistë, militojnë në Bundesligë, njëri me Bayernin Munich e tjetri me Leipzig.

Sa i përket Tolisos, francezit i përfundon kontrata në verën e këtij viti me bavarezët, e kësisoj mund të largohet me kosto zero nga Allianz Arena. Në fakt, një taktikë e tillë i ka funksionuar Realit në verën e kaluar, teksa pikërisht nga Bayerni siguroi pa asnjë shpenzim shërbimet e David Alaba, i cili në Santiago Bernabeu është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm në formacionin e trajnerit Carlo Ançelotti.

Më tej, përveç mesfushës, 34 herë kampionët e Spanjës, e shohin të nevojshme edhe të përforcohen në krahun e majtë të mbrojtes dhe sipas drejtuesve të klubit, Angelino përmbush të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e organikës së 13 herë kampionëve të Europës. Gjatë verës së kaluar, Leipzig siguroi përfundimisht kartonin e anësorit për shifrën e 18 mln eurove nga Manchester City, ndërsa spanjolli firmosi një kontratë deri në vitin 2025 me klubin gjerman. Të shohim në vijimësi të sezonit, nëse për lojtarët në fjalë do të kemi zhvillime të mëtejshme në kampin madrilen, apo Los Blancos do zhvendosin fokusin.