Cilën skuadër do të drejtojë Mourinho?!

Sport

Pasi ka arritur të fitojë trofe në 4 vende të ndryshme të Europës, Jose Mourinho duket se është gati për një eksperiencë krejtësisht të re. Portugezi ka folur së fundmi rreth të ardhmes së tij, ku deklaroi se e sheh veten gjithmonë e më larg futbollit të klubeve. Mourinho u shpreh se vijon të ketë dëshirë për të ndërmarrë sfida të reja dhe angazhimi në krye të një kombëtareje shihet si një mundësi e mirë për të provuar diçka ndryshe. I pyetur nëse do të jetë Portugalia, kombëtarja e parë që do të drejtojë, Mourinho u përgjigj se jo medoemos duhet të jenë luzitanët zgjedhja e tij e parë. Tekniku 56-vjeçar nuk zbuloi nëse kishte marrë oferta konkrete nga ndonjë federatë apo jo, por në rang klubesh pranoi se i janë propozuar disa projekte mjaft interesante. Megjithatë, ish-trajneri i Manchester United vijon pushimet dhe ndoshta një vendim rreth të ardhmes së tij, mund ta marrë pas 1 apo 2 muajsh.


Në fund të intervistës pati vend edhe për disa pyetje rreth Manchester United. Mourinho tha se që prej largimit të tij nuk ka kontaktuar më me drejtuesit e ‘djajve të kuq’. Ndërsa theksoi se pavarësisht punës së mirë të Solskjaer, tek United vijojnë të vuajnë problemet që vetë Mourinho i vuri në pah që përpara largimit të tij nga ‘Old Trafford’.