Çiklizëm, Thomas vazhdon të udhëheqë ‘Tour de France’

Sport

geraint thomas

Geraint Thomas vazhdon të befasojë të gjithë, teksa kur po afrohet edhe fundi i “Tour de France” për këtë vit, udhëheq renditjen e përgjithshme. Çiklisti britanik i skuadrës “Sky”, në fillim të këtij kompeticoni nuk cilësohej si ndër favoritët kryesorë për të fituar, por ka ditur të menaxhojë situatën dhe kryesimin e klasifikimit. Për Thomas, kjo mund të jetë hera e parë që triumfon në turneun më të famshëm të botës së çiklizmit. Pas etapës së 18, ku u përshkuan 171 km në terren fushor, Thomas ruan vendin e parë me kohën totale 74 orë 21 minuta e 1 sekondë, i ndjekur nga Tom Dumoulin me 1 minutë e 59 sekonda më shumë.

geraint

Holandezi i skuadrës “Sunweb” ka parakaluar në renditje çiklistin tjetër të skuadrës “Sky”, Chris Froome. Kjo treshe pritet të diskutojë triumfin e “Tour de France” këtë vit, me rezultatet e etapës së 20 dhe 21 që pritet të jenë vendimtare. Dumoulin shihet si favorit në përshkrimin e 31 km nga provinca e Labourd në Espelette, ku çiklistët u duhet të regjistrojnë kohën më të shpejtë të mundshme.  “Tour de France 2018” do të mbyllet ditën e dielë, më çiklistët që do të bëjnë parakalimin final në “Champs Elysées” në Paris.