Golin e avantazhit për Shqipërinë, të martën në “Elbasan Arena” e shënoi Sokol Cikalleshi, një nga të rikthyerit në Kombëtaren kuqezi, pas një periudhe pauze në kohën e Christian Panuccit. Ky ishte gol i sulmuesit me Shqipërinë ka marrë vëmendje edhe në Turqi. Realizimi i sulmuesi nga Kavaja i hapi rrugën fitores së rëndësishme të Kombëtares kuqezi ndaj Moldavisë. Por mund të ketë hapur edhe rrugë të tjera për vetë Cikalleshin, sa i takon të ardhmes.
Kartonin e tij e ka Akhisarspori që në sezonin e fundit ra nga Superliga turke. Me shumë mundësi, tashmë kavajasi do të kërkojë një aventurë të re, përsëri në tokën turke. Padyshim që ai është një nga ata lojtarë, që e njeh mirë futbollin turk pasi prej vitesh aktivizohet atje ndërkohë që goli i shënuar sigurisht që i ka shërbyer shumë në këtë drejtim, pasi ka bërë jehonë edhe në mediat turke.
Në fakt shumë skaut të klubeve të huaj kanë qënë të pranishëm në sfidën e “Elbasanit, për të ndjekur nga afër lojtarët kuqezi. Një ndër më të vëzhguarit ka qenë edhe sulmuesi i Lokomotiv Zagreb, Myrto Uzuni. Ish-sulmuesi i Laçit luajti për gjatë gjithë takimit, duke bërë një paraqitje të kënaqshme. Me siguri që ka lënë përshtypje të mira edhe te skautët që kishin ardhur prej klubit hungarez të Videoton dhe atij bullgar të Ludogorest. Mbetet të shihen nëse kaq ka mjaftuar që këto dy skuadra të bëjnë ndonjë lëvizje konkrete gjatë ditëve në vijim kundrejt lojtarit beratas të Kombëtares shqiptare.