Cikalleshi, shqiptari i Kupës së Turqisë

Sport

cikalleshi.jpg

 

Sokol Cikalleshi mund të quhet njeriu i Kupës, pasi në Turqi me Bashaksehirin ka realizuar edhe golin e 6-të, në pesë ndeshje të luajtura gjatë këtij kompeticioni.
Ai është kthyer në golashënuesin më i mirë të skuadrës nga Stambolli, në kompeticionin e Kupës së Turqisë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi në minutën e 80’ të takimit golin e tretë për skuadrën e tij, që si përfundim fiksoi fitoren 4-0 ndaj skuadrës së Tepecik, duke siguruar kualifikimin. Kavajasi e bëri më së miri detyrën e tij, pavarësisht faktit se këtë herë u aktivizua si zëvendësues, pikërisht vetëm në 25 minutat e fundit të ndeshjes.
Kështu, në sajë të realizimeve të njëpasnjshme në Kupën e Turqisë, shtatlarti i abonuar me golin në këtë kompeticion, nuk e ka humbur rastin e radhës që t’i dërgojë sinjalin dy trajnerëve. Në radhë të parë atij të Bashaksehirit, për t’I dhënë më tepër minuta aktivizimi, veçanërisht edhe në kampionat. Ndërkohë që gjithashtu i dha një sinjal konfirmimi për formën e tij, edhe trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Xhianni De Biasit.