Christopher Nkunku është zyrtarisht një futbollist i Chelsea. Lajmin e ka bërë të ditur, vetë klubi i Londrës perëndimore, me anë të një postimi në kanalin zyrtar.
Sulmuesi ka nënshkruar nje kontratë 6 vjeçare me Blutë, e cila do të hyjë në fuqi, duke filluar nga data 1 Korrik.
“Jam i lumtur për transferimin tek Chelsea. Përpjekja e madhe që klubi ka bërë për të më blerë, e po ashtu, edhe përkrahja e tifozëve, do të më nxisë më tepër për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Pasi kam luajtur në Francë dhe në Gjermani, tashmë, sfida ime e radhës është Angli, një nga ligat më të fortat në botë. Jam i emocionuar dhe po pres me padurim që të mbaj veshur me plot krenari fanellën e Chelsea”, janë fjalët e para të Nkunku në “Stamford Bridge”.
Për të blerë kartonin e Nkunku nga Leipzig, Chelsea pagoi plot 65 mln euro në arkat e klubit gjerman. një product i akademisë së PSG, 25 vjeçari pritet të jetë ndër elementët thelbësorë të projektit të Chelsea, që do të udhëhiqet nga trajneri Mauricio Pochettino.
Nkunku është një lojtar që di të luajë mjaft mirë edhe jashtë zonës, duke bërë edhe detyrën e një sulmuesi të dytë apo të fshehtë. Megjithatë, nuhatja e tij me golin është për t’u marrë në konsideratë, sidomos në edicionet e fundit.
Në 172 ndeshje të luajtura në të gjitha garat me Leipzig, Nkunku, e mbylli me 70 gola të shënuar dhe 56 asiste të dhuruara për shokët e skuadrës.