Christophe Galtier, trajneri i Paris SG:

Sport

“Sigurisht që gjërat janë më të thjeshta kur ndeshjen e fundit të fazës në grupe e luan si i kualifikuar. Nuk ka dyshim që kalimi në 1/8-at ishte objektivi kryesor përgjatë këtyre javëve dhe jam i lumtur që ekipi i ka plotësuar detyrat. Tani na ka mbetur vetëm diçka që duhet ta kompletojmë dhe ajo është të sigurojmë vendin e parë. Bashkë me lojtarët kemi folur për këtë gjë dhe jemi të gjithë të përqëndruar tek kjo ndeshje, pasi për ne, vendi i parë do të thotë shumë. E dimë që Juventusi nuk ka më shanse për të kaluar më tej, por ata janë ende në garë për ‘Europa League’-ën, kështu që nuk pres një përballje të lehtë. Ata janë një klub i madh dhe do të kërkojnë të bëjnë një ndeshje sa më të mirë. Stili ynë i lojës? Më pëlqen të vendos në funksion kreativitetin e lojtarëve të mi, sidomos në fazën sulmuese, ku preferojmë të konkretizojmë sa më shpejt. Herë pas herë, kam vënë re që intesiteti ulet kur topi qarkullohet shumë prapa dhe nuk më pëlqen kjo gjë. Jemi përmirësuar në presion që bëjmë në momentin kur humbasim topin dhe për këtë kemi punuar vërtet shumë. Mendoj se të gjithë kemi nevojë të përmirësohemi, por ndeshje pas ndeshje, dua të shoh më të mirën nga lojtarët e mi.”