Christophe Galtier rrezikon shkarkimin, këto janë ndeshjet vendimtare për të ardhmen e trajnerit

Sport

Dy ndeshjet e radhës do jenë vendimtare për të ardhmen e trajnerit të PSG, Christophe Galtier. Dy humbjet e fundit radhazi në kampionat, e kanë vënë në pikëpyetje stolin e teknikut francez në “parc des Princes”.

Ish-trajneri i Lille, e mori drejtimin e skuadrës në verën që lamë pas, duke zënë vendin e Mauricio Pochettinos, me objektivin madhor për të triumfuar në UEFA Champions League. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi, duke qenë se Parisi u eliminua që në raundin e 1/8-tave nga Bayern Munich.

Në kushte si këto, Galtier në krye të skuadrës është parë gjithmonë me dyshime të mëdha, ndonëse drejtuesit e klubit besonin se mund t’i jepnin atij edhe një tjetër vit kohë në dispozicion.

Mirëpo, paraqitjet e fundit të skuadrës në kampionat, kanë ngritur sërish re të zeza mbi stolin e 56 vjeçarit.

Parë në këtë këndvështrim, sikurse raportojnë mediat e huaja, dy ndeshjet e radhës në kampionat do jenë vendimtare për të ardhmen e Christophe Galtier. Në vijim, Parisi do luajë ndaj Nice, dhe më pas ndaj Lens. Nëse skuadra nuk merr rezultate maksimale, atëherë aventura e Galtier në “Parc des Princes” mund të konsiderohet e përfunduar, ndonëse kontrata e tij është e vlefshme edhe për një tjetër sezon.

Performanca jo bindëse e skuadrës në fushë, sikurse ndodhi në sfidën e fundit të humbur ndaj Lyon në shtëpi, kanë shtuar edhe pakënaqësitë në radhët e tifozëve, të cilët nuk kanë kursyer protestat ndaj yjeve të ekipit, duke nisur që nga kampioni i botës, Lionel Messi.