Cheryshev rezulton negativ për substancat e pretenduara

Sport

doping
Zgjidhet përfundimisht çështja Cheryshev. Rusi, ish-lojtar i Realit të Madridit, u akuzua gjatë gjithë verës se kishte marrë substanca të palejushme në kohën kur kishte qenë i lënduar, por kjo gjë duket se nuk ka qenë aspak e vërtetë. Pas ripërsëritjes së akuzave agjencia spanjolle e antidopingut kreu këtë mesjavë analiza të sajat. Sikurse raportojnë në Spanjë, kjo agjenci i ka cilësuar si të rregullta trajtimet e ndërmarra dikur nga 27-vjecari Denis Cherychev, tashmë lojtar i Valencias. Edhe njëherë substanca e pretenduar ka rezultuar të jetë plazmë gjaku e pasuruar me trombocide, njëjtë sikurse pati pretenduar Federata Ruse e Futbollit.

denis cheryshev

Pretendimet edhe të ditëve të fundit kishin qenë të njëjta se Cherychev kishte marrë hormone të rritjes në mënyrë që të stimulonte një riaftësim më të shpejtë. Ky pretendim qe ngritur pas gabimit në konceptim të të atit të Cherychev, i cili e pati thënë këtë gjë në një intervistë për mediat ruse. 27-vjecari luajti 5 ndeshje gjatë botërorit rus dhe shënoi një nga golat më të bukur të edicionit. Sipas rregulloreve, përdorimi i hormoneve të rritjes, pa një konsultim me instancat dhe pa rekomandim mjekësor con automatikisht në 4 vite pezullim. Sidoqoftë ky nuk rezulton të jetë rasti i Cherychev, i cili tashmë është i lirë nga këto akuza dhe mund ta vazhdojë karrierën i qetë.