Chelsea zyrtarizon trajnerin e ri

Sport

Graham Potter është zyrtarisht trajner I Chelsea. Kaloi diçka më tepër se 24 orë që Blutë e Londrës të konfirmonin timonierin e tyre të ri pas shkarkimit të Thomas Tuchel.

Sikurse ka bërë të ditur vetë klubi britanik në kanalin zyrtar, Graham ka firmosur një kontratë 5 vjeçare me Chelsean, përgjatë të cilave do ushtrojë njohuritë e tij rreth futbollit.

47 vjeçari konsiderohet nga 2 herë kampionët e Champions League, si një trajner me mjaft potencial dhe një prej më të mirëve në qarkullim, e si dikush që zotëron plot ide moderne rreth topkëmbës. Një gjë të tillë e konfirmoi përgjatë epokës së tij me Brighton. Në edicionin e shkuar, “pulëbardhat”, e mbyllën kampionatin në vendin e 9-të të renditjes, një klasifikim që nuk e kishin arritur asnjëherë më parë në historinë e klubit.

Ky është hapi më I madh në karrierë për Potter, e sigurisht që britaniku nuk i ka fshehur emocionet në fjalët e tij të para që ka thënë për 6 herë kampionët e Premier League.

“Ndihem shumë krenar dhe padyshim i emocionuar që tashmë do të kem mundësinë të drejtoj një klub fantastic si Chelsea. Po pres me padurim që të punoj me këtë grup fantastic lojtarësh dhe së bashku të ndërtojmë një skuadër, për të cilën tifozët tanë të jenë krenarë”, janë ndër të tjera fjalët e Potter.

Për numrin një të pankinës në Stamford Bridge, vlerësime maksimale ka dhënë edhe presidenti I Chelsea, Todd Boehly, I cili është shprehur se Graham ka eksperiencë mbi shpinë dhe se zotëron vizionin dhe kapacitetin që klubi ka nevojë.

Potter është vendosur menjëherë në krye të skuadrës, teksa përsipër ka marrë përgjegjësinë për ta dërguar skuadrën drejt fitimit të trofeve. Britaniku ka nisur përgatitjet për ndeshjen e javës së 7-të të Premier League, që është ndaj Fulham në transfertë.  Për momentin, Chelsea ndodhet në vendin e 6-të, në kuotën e 10 pikëve.