Willian është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Chelseat, dhe pavarësisht spekulimeve se ai mund të largohej gjatë kësaj vere, drejtuesit e “bluve” kanë ditur ta bindin lojtarin të qëndrojë në “Stamford Brigde”. Megjithatë, ka qenë një faktor i veçantë që e ka mbajtur brazilianin në Londër, dhe ai është largimi i Antonio Contes. Duket se trajneri italian ka qenë i padëshiruar nga lojtarët e tij tek Chelsea, pasi edhe Willian në një intervistë të dhënë së fundmi, ka deklaruar se në rast se italiani do të vazhdonte të ishte trajner i Chelsea, atëherë 30-vjeçari do të largohej nga skuadra.
Marrëdhëniet jo të mira të Contes me lojtarët dhe situata e trazuar në klub, kanë bërë që edhe Willian, njësoj si David Luiz e shumë të tjerë tek “blutë”, të mos e pëlqejë prezencën e trajnerit italian. Willian ka shtuar se qëndroi për shkak se kërkon të jap kontributin e tij për Chelsean dhe se është i lumtur me ardhjen e Maurizio Sarrit. Sipas brazilianit, Sarri u jep lojtarëve qetësinë e duhur në kontrollin e lojës dhe se ardhja e tij ka ndryshuar krejtësisht profilin e mënyrës së të luajturit tek londinezët. Në javën e parë të Premier League, “blutë” e nisën mjaft mirë, me një fitore 3-0 në transfertë përballë Huddersfield.