Chelsea vazhdon krizën, moment i vështirë për trajnerin Frank Lampard

Sport

Dhimbjet pa fund të Chelsea këtë edicion futbollistik, vazhdojnë. Në javën e 34 të Premier League, Blutë e Londrës pësuan humbjen e 4-tët radhazi në kampionat. Këtë herë ndodhi ndaj rivalëve historikë të qytetit, Arsenalit, me rezultatin 3-1.

Kjo ishte hera e dytë që nga viti 2016-të, që Chelsea pëson 3 gola në pjesën e parë në një derbi londinez. Për herë të parë ndodhi pikërisht ndaj Arsenalit në Shtatorin e 7 viteve më parë.

Nga ana tjetër, për herë të parë që nga edicioni 2004/05, Arsenali mbetet i pamposhtur në të gjitha ndeshjet derbi të Londrës. Po ashtu, 13 herë kampionët e Anglisë, janë bërë skuadra e parë që fiton 150 ndeshje derbi në Premier League.

Për t’u rithyer tek Chelsea, Frank Lampard po kalon momentin më të ndërlikuar të karrierës së tij si trajner. Rikthimi në “Stamford Bridge” nuk ka shkuar aspak sipas pritshmërive për ish-mesfuhsorin, i cili në këtë mënyrë ka pësuar 6 humbje në po kaq ndeshje që nga momenti kur është ulur në krye të stolit, duke zëvendësuar Graham Potter.

Gjithashtu, duke marrë parasysh edhe eksperiencën e mëparshme me Evertonin, kjo ishte humbja e 10-të radhazi e Lampard si trajner, duke u bërë në këtë mënyrë, trajneri i parë anglez me këtë ecuri kaq negative që nga viti i largët 1988.

Sidoqoftë, drejtuesit nuk pritet të bëjnë ndryshim në stol deri në përfundim të këtij viti futbollistik, sepse më keq se kaq, ky sezon nuk mund të shkojë për dy herë kampionët e Europës. Chelsea ka grumbulluar vetëm 39 pikë dhe është vetëm 9 pikë larg zonës së ftohtë, që të dërgon një kategori më poshtë.