Chelsea thyen sërish rekordin e blerjes së futbollistit më të shtrenjtë në futbollin anglez

Sport

Në vetëm gjysmë viti, Chelsea e ka thyer dy herë rekordin e blerjes së lojtarit më të shtrenjtë në historinë e futbollit anglez. Pas blerjes së Enzo Fernandez nga Benfica në Janar për 120 milionë euro, këtë herë, Blutë e Londrës kanë siguruar shërbimet e Moises Caicedo nga Brighton për rreth 135 milionë euro.

Ndonëse mesfushori ishte pranë transferimit tek Liverpool, me klubin nga Merseyside që kishte arritur marrëveshjen me Brighton, një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse dëshira e vetë lojtarit ishte të bashkohej me Chelsean. E në fakt kështu ndodhi. Sikurse raportojnë mediat në ishull, si fillim, lojtari do të kryejë testet mjekësore, e më pas do të nënshkruajë një kontratë 8 vjeçare, deri në 2031-shin me klubin londinez.

Ndërkaq, Chelsea nuk e ka mbyllur ende merkaton. Synimi i Bluve vijon të jetë mesfusha, aty ku mund të sigurohen edhe dy përforcime të tjera. Sipas informacioneve që përcillen nga mediat në ishull, 2 herë kampionët e Europës duan të blejnë Roméo Lavia, mesfushorin me tipare mbrojtëse të Southampton.

Në fakt, për belgun, interesohet Liverpool, që është gati të paguajë 70 milionë euro. megjithatë, duke parë se ç’ndodhi me Caicedo, Chelsea mund të ndërhyjë, të ofrojë më shumë dhe të kompletojë transferimin e djaloshit 19 vjeçar në “Stamford Bridge”.