Chelsea shënon humbjen e tretë, Mourinhos nuk i tolerohen më gabime

Sport

mourinho-chelsea
Humbja e tretë për këtë sezon në vetëm 5 ndeshje të luajtura. Jose Mourinho më në fund e ka pranuar, kjo është hera e parë që e sheh veten kaq poshtë në renditje. Por tekniku i “Bluve të Londrës” ka thënë se është herët për t’u parë tabela e klasifikimit dhe se gjithcka do të kalojë që të mërkurën në përballjen me Maccabin e Tel Avivit në Champions League.
Në ndeshjen përballë Evertonit, goli i vetëm i serbit Nemanja Matic, sado i bukur që ishte, nuk mundi të shmangte zhgënjimin nga humbja 3-1 në fund. Trigolëshi i skocezit Naismith është treguesi kryesor i faktit se gjërat nuk shkojnë mirë në prapavijën e Chelsea-it.
Në fund të takimit Mourinho u përpoq t’i minimizonte gjërat duke thënë se problemi nuk qëndron te lojtarët. Por gjërat rrezikojnë të bëhen më keq nëse ai nuk fiton as përballjen e javës së ardhshme me Arsenalin e Arsene Wenger, i cili në fillim të sezonit i mori Chelsea-it Super-Kupën e Anglisë.