Aleksandr Golovin është një nga lojtarët më të spikatur të botërorit “Rusi 2918″. 22-vjeçari ka shkëlqyer me paraqitjet e tij tek kombëtarja ruse, duke tërhequr vëmendjen e jo pak klubeve të mëdha evropianë. Deri para pak kohësh përflitej se Juventus ishte në bisedime për të marrë shërbimet e lojtarit nga CSKA e Moskës, të cilëve u ishin ofruar 20 milionë euro për kartonin e fantazistit. Por pikërisht atëherë kur mendohej se marrëveshja mes skuadrës ruse dhe kampionëe të Italisë do të mbyllej, në tratativa ka ndërhyrë skuadra e Chelseat.”Blutë” e Londrës, të cilët janë në pronësi të miliarderit rus Roman Abramovich, kanë paraqitur në tavolinën e CSKA së Moskës plot 30 milionë euro, duke hapur një ankand për lojtarin.
Tek Juventus duket se nuk janë të bindur në shpenzimin e kaq shumë parave për Golovin, që me shumë gjasa nga viti i ardhshëm do ta shohim të luajë në “Stamford Bridge”. Chelsea ndërkohë pritet të zyrtarizojë shumë shpejt Maurizio Sarrin si trajner dhe Golovin do të jetë blerja e parë e kësaj vere për skuadrën londineze.
Golovin këtë sezon ka zhvilluar 43 ndeshje me CSKA-n e Moskës, ku ka realizuar 7 gola dhe ka shërbyer 6 asiste. Ai është pjesë e kombëtares ruse në botëror, ku shihet si lojtari më i mirë i fazës së grupeve për skuadrën e drejtuar nga trajneri Cherchesov.