Chelsea paguan klauzolën e Arrizabalagas, Courtois i hapet rruga e largimit

Sport

Kepa Arrizabalaga

Kepa Arrizabalaga do të jetë portieri i ri i Chelsea. Të paktën në Angli dhe Spanjë kjo gjë është e sigurtë, pasi raportohet se londinezët kanë paguar klauzolën e kontratës së 23-vjeçarit me Athletic Bilbao, plot 80 milionë euro.
Kjo do ta bëjë portierin e ri të jetë më i shtrenjti i historisë së futbollit, duke thyer rekordin e vendosur rreth 1 muaj më para nga Allison Becker, që u transferua tek Liverpool për thuajse 70 milionë euro.
Kur kanë mbetur edhe pak orë nga mbyllja e merkatos në Angli, drejtuesit e Chelsea kanë lëvizur shpejt për transferimin e Kepas, që do t’i hapë rrugën e largimit portierit aktual të “bluve” të Londrës, Thibaut Courtois. Belgu ka arritur prej kohësh akordin me Real Madrid dhe nuk është paraqitur në stërvitjet e Chelsea gjatë 3 ditëve të fundit. Së bashku me agjentin e tij, Courtois ka ushtruar vazhdimin presion tek drejtuesit londinezë, për ta lejuar largimin e tij drejt kryeqytetit spanjoll.
Kalimi i Kepa Arrizabalaga tek Chelsea mund të ketë një efekt “domino” tek shumë lëvizje të tjera. Athletic Bilbao do të ndalojë huazimin e Iago Herrerin tek Leganes, ndërkohë që për Kiko Casilla, nuk do të ketë më hapësira tek Real Madrid, ndaj 31-vjeçari mund të jetë vënë që tani në kërkim të një skuadre të re.