Sezoni 2022/23 nuk po shkon aspak mirë për Reece James. Dëmtimi i pësuar në ligamentin e gjurit gjatë ditëve të para të Tetorit, i kushtoi anglezit mungesën në Kupën e Botës me përfaqësuesen e tij.
Pasi qëndroi plot 60 ditë jashtë fushës së blertë, James është ndalur sërish. Në ndeshjen ndaj Bournemouth që Chelsea e luajti në shtëpi, dhe e fitoi me rezultatin 2-0, në minutën e 53, mbrojtësi i djathtë kërkoi zëvendësim nga trajneri i tij, Graham Potter.
Nga ekzaminimet e kryera, anësori i prapavijës ka pësuar të njëjtin dëmtim dhe këtë e ka konfirmuar edhe tekniku Potter. Këtë herë, 23 vjeçari do mungojë rreth një muaj. James është shprehur se për 3 javë do jetë sërish gati, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të thuhet me siguri.
Në kushte si këto, Chelsea ndoshta mund të detyrohet tashmë që t’i kthejë sytë në merkaton e janarit dhe të kërkojë një mbrojtës të djathtë.
Madje, jo vetëm kaq. Blutë e Londrës janë gjithashtu të interesuar edhe për ta përforcuar ekipin në të tjera reparte, sikurse është mesfusha, apo edhe sulmi. Sidoqoftë, transferimi i një anësori të djathtë në prapavijë konsiderohet diçka parësosre dhe emergjente në kampin e klubit londinez.