Chelsea mendon për Coutinhon si pasardhësin e Eden Hazard!

Sport

Largimi i Eden Hazard nga Chelsea drejt Real Madrid duket të jetë çështje kohe. ‘Blutë’ e Londrës kanë pranuar të lejojnë belgun të largohet drejt skuadrës për të cilën ai ka dëshiruar gjithmonë që të luajë, teksa mbetet për t’u arritur akordi final mes dy klubeve. Por skuadra londineze po punon nga ana tjetër për të gjetur një zëvendësues të denjë për yllin kryesor të kësaj skuadre gjatë këtyre sezoneve. Edhe pse ndaj Chelseat ekziston një urdhër nga organizmat e UEFA-s që ndalon ‘blutë’ të blejnë lojtarë në merkato, drejtuesit e klubi londinez janë të bindur se do ta hedhin poshtë këtë dënim. Kështu puna në merkato vazhdon dhe emri i parë në listën e Chelseat duket të jetë Philippe Coutinho.

Braziliani nuk duket shumë i lumtur në aventurën e tij tek Barcelona, ku edhe është kritikuar shpeshherë për formën e tij jo konstante gjatë këtij sezoni. Siç zbulon ‘The Mirror’, Chelsea do të provojë të nënshkruajë me Coutinhon pavarësisht se kush do të jetë trajneri i londinezëve në sezonin e ardhshëm. Coutinho është një lojtar që e njeh mirë ‘Premier League’-ën, duke qenë se ka kaluar jo pak kohë në radhët e Liverpool. Në 54 ndeshje me Barcelonën gjatë sezonit që katalansit mbyllën, braziliani ka realizuar 11 gola dhe 5 asiste, shifra shumë larg pritshmërive të klubit katalanas. Vlera e tij në merkato llogaritet tashmë rreth 100 milionë euro, me Barcelonën që nëse vendos ta shesë Coutinhon, do përpiqet të rikuperojë sa më shumë nga 145 milionë eurot e shpenzuara për ta transferuar brazilianin nga Liverpooli në janarin e vitit 2018.