Chelsea, Lampard thotë se ‘Champions League’-a do të ndihmojë klubin në merkato

Sport

Prezenca në ‘Champions League’ është absolutisht një nga objektivat kryesorë që kanë thuajse të gjitha skuadrat e mëdha në Europë. Rëndësia e kompeticionit më të rëndësishëm për klube është e dukshme jo vetëm në lavdinë dhe arkëtimet që arrijnë skuadrat, por edhe në aspekte të tjera jashtë fushe. Shumë lojtarë të nivelit të lartë sot kërkojnë të jenë patjetër pjesë të elitës së Europës dhe kjo shpesh ndikon edhe në lëvizjet e merkatos. Këtë e ka pranuar dhe tekniku i Chelsea-t, Frank Lampard, i cili u shpreh se prezenca në ‘Champions League’ do të ndihmojë klubin të arrijë marrëveshje edhe me lojtarë të mëdhenj e të talentuar. Lampard theksoi faktin se të gjitha klubet fitojnë shumë para nga prezenca e tyre në elitën e Europës, por duke siguruar një vazhdimësi, për drejtuesit është më e thjeshtë të gjejnë marrëveshje me lojtarë të ndryshëm në merkato. Kjo, edhe prej faktit se për shumë lojtarë, ky kompeticion është bërë kushti kryesor për të firmosur një kontratë të re. Tek Chelsea këtë ndoshta e dinë më mirë se në çdo klub tjetër. Në këtë merkato, ‘blutë’ e Londrës janë ndër skuadrat më aktive. Drejtuesit e Chelsea-t janë munduar të plotësojnë dëshirat e Lampard, duke afruar emra cilësorë si Hakim Ziyech apo Timo Werner, ndërkohë që së fundmi flitet edhe për një akord paraprak që klubi londinez ka për transferimin e talentit të Leverkusen, Kai Havertz.