Chelsea kualifikohet në çerekfinale të UEFA Champions League

Sport

Chelsea kualifikohet në çerekfinale të UEFA Champions League. Blutë e Londrës përmbysën me sukses disfatën 1-0 të pësuar në takimin e vajtjes ndaj Borussia Dortmund. Të martën mbrëma, në “Stamford Bridge”, Blutë e Londrës triumfuan 2-0 ndaj gjermanëve, duke shënuar nga një gol në secilën pjesë.

Pas disa tentativash nga të zotët e shtëpisë, topi do ta prekte rrjetën vetëm në minutën e 43, kur Raheem Sterling u tregua i saktë brenda zonës, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 1-1.

Sakaq, kur nga pjesa e dytë kishin kaluar vetëm 8 minuta, Kai Havertz kishte edhe fatin me vete. Gjermanit iu dha mundësia nga pika e bardhë e penalltisë, por gaboi në të parën, duke e përplasur topin në shtyllë. Megjithatë, futja e lojtarëve në zonë, e detyroi arbitrin që të fërshëllente për një tjetër përsëritje të 11 metërshit. Herën e dytë, Havertz u tregua i saktë. Rezultati shkoi në 2-0 dhe mbeti i pandryshuar deri në fund.

Në këtë mënyrë, Chelsea u kualifikua për në çerekfinale të Champions League me rezultatin e përgjithshëm 2-1 ndaj Dortmundit në 180 minuta. Kjo fitore mund t’u shërbejë Bluve të Londrës për t’u rikthyer tek rezultatet pozitive.

Gjithashtu, një sukses i tillë, duket sikur ka larguar presionin e shkarkimit edhe nga trajneri i skuadrës Graham Potter. 47 vjeçari është bërë trajneri i dytë anglez që fiton 5 ndeshje në Champions League brenda një sezoni të vetëm. I pari që e ka bërë diçka të tillë është Bobby Robson me Newcastle në sezonin 2002/03.

Në këtë mënyrë, Chelsea është kualifikuar 5 herë në raundin tjetër të Champions League, pasi më herët kishte humbur takimin e vajtjes. Bashkë me Real Madrid, Juventus dhe Barcelonën, këto janë skuadrat e vetme në historinë e Champions League që e zotërojnë një statistikë të tillë.