Chelsea kërkon Victor Osimhen, ja plani i klubit anglez

Sport

Chelsea është klubi i radhës që kërkon shërbimet e Victor Osimhen. Londinezët janë në mbyllje të një sezoni për t’u harruar, por duke nisur nga vera që po vjen, pritet një shkundje e skuadrës, në mënyrë që edicionin e ardhshëm, të rikthehen emocionet pozitive, e bashkë me to edhe trofetë.

Pavarësisht 600 mln eurove të shpenzuara në dy merkatot e fundit, Chelsea nuk e ka zgjidhur ende çështjen e një qendërsulmuesi, mungesën e të cilit, skuadra e ka vuajtur shumë përgjatë sezonit actual. Në pronësinë e Chelsea vijon të jetë ende një personzh si Romelu Lukaku, i huazuar momentalisht tek Interi, por belgu nuk preferohet nga drejtuesit, të cilët e kanë përqendruar tashmë objektivin diku tjetër.

Mediat e huaja, raportojnë se bëhet fjalë pikërisht për Victor Osimhen, i saposhpallur kampion i Italisë me Napolin. Mirëpo, për ta lënë të lirë nigerianin, Napoli kërkon plot 150 mln euro. Për ta zbutur sadopak këtë kusht të lartë të Napolit, Chelsea është gati që të përfshijë në operacion edhe një lojtar të skuadrës.

Fjala është për Christian Pulisiç, i cili, ndonëse ka edhe një tjetër vit kontratë me Blutë, kërkon të largohet nga “Stamford Bridge” për të ndërtuar një tjetër të ardhme. Mbetet për t’u parë nëse një strategji e tillë do e bindë presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentis për të nisur bisedimet me londinezo-perëndimorët. Megjithatë, një rol të rëndësishëm në këtë mes, pritet të luajë edhe vetë Osimhen, i cili vijon të jetë i dyzuar mbi të ardhmen e tij.