Chelsea ka gati ofertën e rinovimit me Kante

Sport

ngolo
N’Golo Kante do të jetë lojtari më i paguar tek Chelsea. Drejtuesit e “bluve” të Londrës kanë përgatitur një ofertë për rinovimin e francezit, ku ai do të paguhet rreth 290 mijë paundë në javë, duke parakaluar në skuadër Eden Hazard, që aktualisht përfiton 220 mije paundë. Pasi fitoi botërorin me Francën, ku sërish mesfushori shkëlqeu, shumë skuadra kanë shfaqur interes për afrimin e tij, ndaj tek Chelsea nuk kanë vonuar për t’i ofruar lojtarit të tyre kushtet më të mira për të qëndruar. Kante është rasti tipik i një futbollisti fjalëpak e të ndrojturm por që megjithëse nuk bie në sy, është i domosdoshëm për skuadrën e tij.

kante

Sipas “Times”, trajneri italian Maurizio Sarri i ka kërkuar presidentit Roman Abramovich që lojtari të mos largohet, por të qëndrojë te Chelsea edhe sezonin e ardhshëm. Mediat britanike konfirmojnë se bëhet fjalë për një kontratë 5-vjeçare, ku francezi do të përfitojë rreth 17 milionë euro në sezon. N’Golo Kante u bë pjesë e Chelsea gjatë merkatos verore të vitit 2016, kur “blutë” e Londrës shpenzuan rreth 36 milionë euro në arkat e Leicester City. Me Chelsea-n, lojtari numëron deri më tani 89 takime të luajtura, ndërkohë që vlera aktuale e tij mendohet të jetë rreth 80 milionë euro.