Chelsea interesohet për lojtarin e Barcelonës

Sport

Chelsea ka nisur nga puna për të sjellë në Stamford Bridge pasuesin e mbrojtësit Thiago Silva. Largimi i barazilianit nga Blutë e Londrës ka do të thotë se në qendër të prapavijës duhet të plotësohet një zbrazëti e madhe.

Sikurse përcillet nga mediat pranë klubit katalanas, Chelsea ka nisur të interesohet për lojtarin e Barcelonës, Ronald Araujo. Në fakt, anglezët nuk janë të parët që duan të sigurojnë shërbimet e uruguajanit, i cili është pjesë e merkatos thuajse prej një viti tashmë. ‘

Përgjatë viteve të fundit, Chelsea ka treguar se aspekti financiar nuk është aspak një problem për klubin, çka do të thotë që mund të vënë në lojë të gjitha kartat, vetëm e vetëm që 25 vjeçari të zbarkojë në Londrën Perëndimore.

Për të siguruar shërbimet e tij, ndoshta do të duhen të paktën 100 milionë euro. Ky është çmimi fillestar që Barcelona i ka vendosur lojtarit. Deri pak kohë më parë, Araujo ishte i paprekshëm për gjigantët spanjollë, mirëpo situata e vështirë ekonomike, mund ta detyrojë shoqërinë katalanase të pranojë shitjen e një prej futbollistëve më të spikatur të organikës.

Nga ana e tij, Araujo ka shprehur dëshirën për të vazhduar të luajë me Barcelonën, por në fund është shprehur gjithashtu se do të ishte i gatshëm të pranonte çdo vendim të klubit, çka do të thotë se mundësia e largimit mbetet në tavolinë.

Kontrata aktuale e uruguajanit me klubin spanjoll është e vlefshme deri në 30 Qershor të 2026-tës, kurse vlera e tij në merkato cilësohet 70 milionë euro. Duke qenë se jemi vetëm pak ditë larg nisjes zyrtare të merkatos së verës, atëherë, mbi një temë të tillë priten informacione më të detajuara. Në të ardhmen e afërt, do të mësojmë nëse Araujo do të largohet nga Barcelona, apo do të mbetet pjesë e skuadrës katalanase.