Eden Hazard nuk duhet të largohet nga Chelsea, kështu këmbëngul sulmuesi dhe njëherësh shoku i tij i skuadrës, Olivier Giroud. Duke folur në një intervistë të dhënë së fundmi, francezi kampion bote, ka theksuar se “belgu është një lojtar tejet special prej të cilit Blutë e Londrës fitojnë shumë”. Tifozët e Chelsea-it u kapluan nga frika, pasi 27-vjecari Hazard, fillë pas botërorit, dha sinjalet se mund të lëvizte nga Anglia me destinacion Realin e Madridit në Spanjë. Sidoqoftë spekulimet e shumta, janë zbehur javët e fundit dhe këtë javë Hazard do të startojë sezonin e tij të 7-të me Chelsea-in duke luajtur kundër Huddersfield-it. Giroud, i cili nuk ka shumë kohë që luan përkrah tij, ka qenë përgjithësisht kundërshtar, kur luante me Arsenalin, dhe po kështu edhe me Francën, dhe për këtë ka këmbëngulur fort se i njeh mirë aftësitë e 27-vjecarit. “Ne duam që ai të qëndrojë te Chelsea, është një ndjesi e papërshkrueshme kur luan me të tillë lojtarë në skuadër” ka thënë shtatlarti francez, i cili mes të tjerash ka rrëfyer se me Hazardin ka një marrëdhënie të afërt miqësore. “I shkruajta një mesazh pas Kupës së Botës. Ai më pati uruar dhe për këtë s’kisha shumë dëshirë ta ngacmoja për gjysmë-finalen” tha Giroud. Hazard u transferua te Chelsea 7 vite më parë. Blutë i paguan francezëve të Lille 35 milionë euro. Në 300 ndeshje me londinezët këto vite, ai ka mundur të shënojë 89 gola duke fituar edhe 5 trofe.