Chelsea fiton garën me United dhe Newcastle, zyrtarizon lojtarin e radhës

Sport

Axel Disasi është përforcimi i radhës i Chelsea në merkato. Blutë e Londrës kanë kompletuar tashmë në mënyrë zyrtare transferimin e mbrojtësit të qendrës, i cili erdhi nga klubi i Monaco për vlerën e 45 milionë eurove.

Me Blutë e Londrës, francezi ka nënshkruar një kontratë 6 vjeçare, deri në verën e 2029-tës, duke i dhënë fund në këtë mënyrë, aventurës së tij 3 vjeçare me klubin nga principata.

“Jam i lumtur që ndodhem këtu dhe që jam bërë pjesë e një klubi të madh. Ndihem krenar që jam bashkuar me këtë familje të madhe. Uroj që këtu të shijoj një sukses të madh, duke fituar tituj të rëndësishëm. Do bëj gjithçka të mundur që ekipi të ketë sukses, pasi unë jam mjaft ambicioz”, është shprehur ndër të tjera mbrojtësi i qendrës.

Axel Disasi ishte një përforcim i detyruar për Chelsean dhe gjithçka ndodhi pas dëmtimit të rëndë që pësoi Ëesley Fofana, i cili lëndoi ligamentin, e kësisoj do qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushës së lojës.

Për të siguruar shërbimet e shtatlartit të prapavijës, Chelsea fitoi garën me Manchester United dhe Newcastle, me klubet në fjalë, që gjithashtu duan të përforcohen në prapavijë. Mirëpo këmngulja e Bluve të Londrës bëri që destinacioni i 25 vjeçarit të ishte “Stamford Bridge”.