Chelsea del në shitje për një shifër marramendëse!

Sport

Roman Abramovich konfirmon zyrtarisht se Chelsea është në shitje dhe ai nuk është më president i klubit, duke i dhënë kështu fund epokës së tij 19 vjeçare në Stamford Bridge.

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, e ka detyruar miliarderin që të tërhiqet nga ky pozicion dhe këtë e ka bërë të ditur me anë të një njoftimi public, aty ku ka theksuar se ky këtë vendim të vështirë e ka marrë për të mos dëmtuar klubin, në mënyrë që të ruhen lidhjet me partnerë, apo sponsorë të ndryshëm.

Kësisoj, Chelsea ka dalë në shitje për një shifër marramendëse. Abramovich kërkon afërsisht 4 mld euro. Sipas 55 vjeçarit, stafi i tij ka ngritur një fondacion bamirësie dhe kjo shumë kaq e madhe do të shkojë për viktimat e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, e po ashtu edhe për procesin e rindërtimit pasi gjithçka të ketë marrë fund mes këtij konflikti.

Në të tilla rrethana, Abramovich i jep kështu fund një epoke 19 vjeçare në krye të Chelsea, aty ku gjithçka mori jetë në vitin 2003. Që prej atëherë, blutë e Londrës kanë fituar 21 trofe, ku mes tyre vlen të theksohen 2 tituj të Champions League dhe 5 të Premier League.

Mirëpo, çfarë do të ndodhë tani me kampionët e Europës dhe kush mund ta blejë këtë klub? Nga zhvillimet e fundit, një kandidat potencial për të blerë Chelsean është miliarderi zvicerian Hansjörg Wyss, mirëpo 86 vjeçari është shprehur se 4 mld euro janë një shumë e madhe për të shpenzuar, kështu që kërkon një tjetër partner. Po ashtu, një tjetër kandidat që ka shprehur dëshirën për të blerë klubin londinez është edhe ylli i UFC-së, Conor McGregor.