E ardhmja e Thibaut Courtois duket se është larg “Stamford Bridge”. Portieri belg është kthyer në objektiv kryesor për Real Madrid, të cilët kanë kthyer vëmendjen tek Courtois pas ndërlikimeve që patën tratativat për David De Gea të Manchester United.
Courtois dhe agjenti i tij prej kohësh u kanë treguar drejtuesve të Chelsea dëshirën për t’u larguar drejt kryeqytetit spanjoll, por londinezët kërkojnë që fillimisht të kenë siguruar një zëvendësues të tij, përpara se ta lejojnë 26-vjeçarin të largohet.
Objektivat e Chelsea për portën mendohen të jenë Jan Oblak i Atletico Madrid dhe Kepa Arrizabalaga i Athletic Bilbao. Për Oblak, që një kontratë aktive deri në vitin 2021, negociatat do të jenë të vështira, pasi “los colchoneros” presin një ofertë fillestare prej të paktën 100 milionë eurosh. Atletico Madrid do të kërkojë të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga shitja e portierit slloven, që UEFA e konsideroi vitin e kaluar si më të mirin e sezonit.
Sa i përket Arrizabalagas, 23-vjeçari konsiderohet si një ndër portierët më të talentuar në botë. Gjatë janarit ai arriti një akord verbal me Real Madrid, por në fund zgjodhi të rinovonte me Athletic Bilbaon, që i ka vendosur një klauzolë lirimi prej 80 milionë eurosh.